Postuar më: 03/10/2018

Ulet përdorimi i qeseve plastike me 70%

3 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit të qeverisë që ndalon prodhimin, importimin dhe tregtimin e qeseve plastike të pariciklueshme edhe në Shqipëri, ndihen efektet pozitive të zbatimit të tij si tek bizneset, ashtu edhe tek qytetarët dhe në mjedis.

Faktet tregojnë se numri i përdorimit të qeseve plastike ka rënë ndjeshëm dhe se tanimë qeset e reja plastike prodhohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, që garantojnë shëndetin e qytetarëve dhe një mjedis më të pastër.

Prodhuesit e mëdhenj të prodhukteve plastike tregojnë sesi numri i përdorimit të qeseve plastike ka rënë me 70%. Për ministrin e Turizmit dhe të Mjedisit, Blendi Klosi, ky fakt dëshmon sesi qytetarët e kanë përqafuar këtë nismë të re ligjore, në dukje të pamundur, por në terren tepër të suksesshme.

Megjithatë, ministri Klosi pranon se ka ende shumë për të bërë, për këtë arsye premton se aksioni për të eliminuar qeset e fundit plastike, nën 35 mikron, do të vijojë pa kompromis. Edhe zv ministrja Ornela Çuçi tha se nuk është thjesht një politikë qeveritare,  por është bërë një politikë mbarëkombëtare e përkrahur nga të gjithë qytetarët.