Postuar më: 09/10/2018

Mbahet analiza e sezonit turistik për qarkun Durrës

Viti 2018 shënon rritjen më të madhe të numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë. Shifrat kokëforte tregojnë se në gusht numri i turistëve ishte 27% më shumë se në gushtin e 2017-s. Megjithatë, treguesi më i rëndësishëm janë shifrat e shtatorit, 31% turistë më shumë se vjet. “Ne këtë vit presim që të jenë mbi 6 milionë që krahasuar me një vit më parë me 5.1 milionë shënojnë një rritje shumë më të madhe.

Dhe vitin tjetër padyshim në qoftë se vazhdojmë përpjekjet tona do të shkojmë në 7 mbase. 7,.1 apo 7.2 milionë turistë”, tha ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, që thotë se Turizmi 2018, përveç se një histori suksesi, shton përgjegjësitë për të rritur kapacitetet sasiore dhe cilësore akomoduese për të pritur kaq shumë turistë. Këtë deklaratë ministri Klosi e bëri gjatë analizës së sezonit turistik në Durrës, nga ku tha se ky qark i ka të gjitha komponentët e asaj që duhet bërë për turizmin në Shqipëri, që nga porti, kapacitetet akomoduese, agroturizmi deri tek malet dhe rrethi Krujës.

Ministri Klosi tha se kemi një rritje me 15% të turistëve të huaj për t’u futur në portin e Durrësit, çka do të thotë se të huajt janë gjithmonë e më pranë shqipërisë. Këto rezultate pozitive, sipas tij, tregojnë se ka ardhur koha që të ngrihet komuniteti i turizmit, me njerëz që e kanë biznes 12 mujor turizmin. Ka ardhur koha që të merren të gjitha masat që tani për vitin e ardhshëm, plazhet të kenë roje bregdetare, shërbime cilësore dhe të sigurta, Sinjalistikë në plazhe, ushqime të kontrolluara. Ashtu sikurse ka ardhur koha që në Shqipëri destinacioni turistik të shndërrohet në një lloj konkurrimi mes destinacioneve. Si përshembull, pse duhet të zgjedh Durrësin dhe jo Sarandën?