Postuar më: 11/10/2018

Klosi: Clean&Green, 20 mln e 200 mijë pemë brenda 2020-ës

Programi politik i qeverisë Clean&Green 20/20, në vitin e dytë të tij, filloi me një takim mes ekspertëve të fushës mjedisit, për të vijuar me një diskutim të madh publik nga veriu në jug, ku do të lançohet strategjia për një Shqipëri me 20 milion e 200 mijë pemë më shumë brenda vitit 2020.

Një fushatë që do ti japë rëndësi pemës si vlerë, pemës si ekonomi, por edhe për të kuptuar se ka ardhur momenti që ti kthehemi natyrës dhe mbrojtjes së mjedisit. “Programi i cili ka filluar me moratoriumin e pyjeve dhe do të shtrihet për të kthyer gjithmonë e më shumë pyjet në qendër të vëmendjes është me synim të qartë që të kthejmë në Shqipëri zona të gjelbëruara dhe natyrë më të mirë dhe ka objektivat kryesorë 20 milionë pemët që ne duam t’i strukturojmë dhe të kemi mundësi që përmes tyre  të prodhojmë ekonomi, të kemi edukim mjedisor më shumë tek brezat që do të vijnë.

Prandaj na duhet shumë më shumë bashkëpunim me pushtetin lokal si pronarët e vërtetë në sasinë më të madhe të sipërfaqeve pyjore”, tha ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, nga një takim me ekspertë mjedisorë, ku prezantoi arritjet e sezonit të një viti më parë, 4.5 milion pemë të mbjella më shumë në Shqipëri, por ku foli edhe për masat dhe objektivat e sezonit të ri të mbjelljeve 2018-2019. Ministri Klosi tha se bashkë me qeverinë qëndrore, pushtetin lokal, donatorët dhe komunitetin e biznesit do të krijojnë këtë vit për herë të parë operacionin “Krijo oksigjenin tënd”, ku çdo qytetari do ti kërkohet vullnetarisht të mbjellë 5 pemët e tij për të krijuar oksigjenin e tij.

Programi Clean&Green, i cili filloi me moratoriumin e pyjeve ka bërë një gjë të shkëlqyer duke shtuar numrin e pemëve të reja dhe filizave të rinj, por që ato të eksiztojnë duhen ruajtur dhe mirëmenaxhuar, që pyjet të jenë edhe një burim ekonomik. “Kemi mbi 1 milion ha pyje në vendin tonë të ndara pothuajse në mënyrë të barabartë gjatë gjithë hapësirës, por rajoni verior ka 31%  Shqipëria qendrore ka 19%, juglindorja ka 31% dhe jugperëndimorja 19%.

Pra, kemi kudo mundësinë që të shtojmë kapacitetet. Ne duam që të kemi një qeverisje më të mirë për pyjet dhe prandaj duam mendimin tuaj për të pasur një kujdes sa më cilësor përsa i përket pyjeve në garantimin e gjithë treguesëve që këto kanë, pra për një cilësi më të mirë, për prodhim më të mirë, për jetëgjatësi më të mirë, të kemi shfrytëzim të qëndrueshëm duke bërë atë që themi përditë vendosja e ekuilibrit të qëndrueshëm ndërmjet zhvillimit dhe ruajtjes së mjedisit”, tha ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.