Postuar më: 11/01/2019

Ministri Klosi: Më shumë punësim për studentët në turizëm

Jashtë auditoreve, për të përfituar një nga profesionet me perspektivë afatgjatë. 40 studentë të universiteteve publike dhe private në vend, nisin kursin e trajnimit si guida, në një eksperiencat më të reja në turizmin shqiptar, vëzhgimin e zogjve. Në ditën ndërkombëtare të censusit të shpendëve dimërorë studentët fillojnë trajnimin  në krah të ekspertëve të huaj dhe vendas me një nga përvojat më të mira europiane.

Nga Liqeni Artificial i Tiranës, ku u lancua nisja e trajnimit të studentëve, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se “40 studentët janë guidat e para që do të trajnohen edhe në këtë lloj turizmi të ri për vendin tonë por mjaft të njohur në Europë. Ata do të plotësojnë aftësitë e tyre dhe zgjerojnë mundësinë e ushtrimit të guidave në të gjitha stinët e vitit. Zgjerimi i ofertës turistike në vend, po rrit çdo ditë e më shumë mundësitë e punësimit të të rinjve në industrinë e turizmit të qëndrueshëm që po ndërtojmë.”- tha ministri Klosi.

Kualifikimi studentëve me dije për florën dhe faunën e vendit tonë do të plotësojë profesionalizmin e tyre si guida dhe do të vërë në pah bukuritë e fshehura të natyrës shqiptare. “Natyra shqiptare ka vlera të jashtëzakonshme jo vetëm në nivel kombëtar por edhe europian. Fauna e pasur e shtuar ndjeshëm vitet e fundit pas vendosjes së moratoriumeve të gjuetisë dhe pyjeve, është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e turizmit natyror. Ky lloj turizmi i qëndrueshëm është miqësor me mjedisin – tha ministri Klosi duke shtuar se ”detyra jonë është që të ruajmë ekuilibrin ndërmjet zhvilimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së vazhdueshme të pasurisë natyrore”.

Kundrimi i shpendëve është një trend  i ri në fushën e turizmit shqiptar. I shfaqur kryesisht në ligatinat e vendit, pothuajse në të gjitha stinët e vitit, ky trend po njeh gjithmonë e më shumë rritje falë faunës të pasuruar me ritme të shpejta këto vitet e fundit. Por teksa turistët vendas dhe të huaj shfaqin interes për kundrimin e shpendëve, guidat e kualifikuara thuajse mungojnë, duke lënë këtë lloj turizmi pothuajse të pazhvilluar dhe të pashfrytëzuar. Për të plotësuar këtë dimension të munguar në guidat vendase, Ministri Klosi lancoi  trajnimin e studentëve nga universitetet publike e private.