Postuar më: 22/01/2019

Klosi: 40 masa në 100 ditë për Pyjet që Duam

Pas suksesit të sezonit të parë të mbjelljeve në vitin 2018, ministri Klosi lançoi sot nisjen e sezonit të dytë të mbjelljeve, një fushatë me titull “100 ditët e pemëve”. 100 ditë aktivitete në funksion të “Krijo oksigjenin tënd” “Mbill 5 pemët e tua”! Aktivitet i zhvilluar në shkollën “Bari Nela”, në Zallbastar, pranë pellgut ujëmbledhës të Bovillës. “Ne zgjodhëm jo më kot që të vinim këtu për të lancuar një fushatë që ministria e turizmit dhe mjedisit së bashku me gjithë partnerët e saj, me të gjithë ata që duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të gjelbër, për një Shqipëri më të dashur nga ana ambjentale, erdhëm këtu ku mund ta bënim këtë ceremoni se historikisht ceremonitë janë bërë nëpër qendra qytetesh, hotele, ndërsa tani e bëjmë në shkollën e nderuar që na mirëpriti për të dhënë një mesazh fare të qartë. Kjo fushatë, që fillon në 100 ditët e ardhshme fushatë të cilën e kemi ndërtuar për të mbjellë më shumë pemë”, tha ministri Klosi.

Fushata “100 ditët e pemëve” është një fushatë disadimensionale për të bërë aktivitete, për të shpalosur të 40 masat, një fushatë ku nuk do të mbillen vetëm pemë në 12 qarqet e vendit, por ku do të përfshihen të gjithë qytetarët, të cilëve do ti kërkohet të mbjellin 5 pemët e tyre, vullnetarisht. “Kështu do të shkojmë edhe në shkolla të tjera, kështu do të shkojmë edhe në brigjet e lumenjve ku mbjellja e pemëve do të mbrojë nga erozioni, kështu do të përpiqemi që në shkollat të ndërtojmë kurorat e gjelbra, kështu do vazhdojmë me bizneset për të kuptuar sesa bizneset kane detyrimin për të mbjellë pemë që i shërbejnë komunitetit , kështu do vazhdojmë në të gjithë Shqipërinë, të bëjmë shumë më tepër fushatë që të gjithësecili të kuptojë që pemët qoftë edhe ato agrofrutore shërbejnë për një Shqipëri më të bukur, më të pastër dhe një Shqipëri më turistike”, tha ministri Klosi, sipas të cilit zgjedhja e kësaj pike të largët nga qyteti nuk ishte e rastësishme, por një pikë, që edhe më rrugën e Arbrit do të shndërrohet në një zonë të vërtetë me mundësi të jashtëzakoshme për agroturizëm, agrobiznes.  “Ne duhet të jemi të përgatitur që atë cfarë natyra i ka dhënë bukurisë së këtyre zonave, ne ta mbështesim me mbjelljen e më shumë pemëve, me ruajtjen e tyre, po edhe me krijimin e ekonomisë së vërtetë brenda zonë në të cilën jetojmë”, u shpreh Klosi.