Postuar më: 08/03/2019

Klosi: 2019-a, vit i rëndësishëm për turizmin shqiptar

I pranishëm në panairin më të rëndësishëm në botë “I.T.B Berlin Fair” në Berlin, ministri Klosi flet për mundësitë e jashtëzakonshme që ka Shqipëria për zhvillimin e industrisë së turizmit. Për ministrin, 2019-a është viti më i rëndësishëm, pas suksesit të 2018-s, një tregues që do të na çojë më shpejt drejt realizimit të sfidës 10 milionë turistë. Ai gjithashtu tregon për interesin e tur operatorëve të huaj për ta konsideruar Shqipërinë destinacion të qëndrueshëm jo vetem në Ballkan, por edhe në Europë. “Ajo që më bën të ndihem shumë mirë është që është harruar koncepti i 2-3 muajve të verës, por kontratat nga të gjithë tur operatorët kanë filluar të kalojnë 180 ditë për të shkuar mbi 200 ditë që është një numër shumë i mirë, i cili në fakt përputhet me kushtet me të cilat mund të bëhet turizëm në Shqipëri”, tha ministri Klosi. Sa i takon zhvillimeve të fundit politike në vend, ngjarje që ndikuan në rënien e numrit të turistëve që vizituan vendin tonë në janar, ministri Klosi tha: “Do të përpiqem shumë që të bëj një thirrje edhe publike, edhe këtu nga panairi i Berlinit , edhe këtu ku shikohet sesa shumë shanse ne kemi për të ecur përpara në këtë industri që të kuptojmë dhe të mendojmë në një moment të caktuar sesa dëm i bëjmë një industrie e sapo lind në vendin tonë dhe që nuk shkon në asnjë zë buxhetor, nuk është një mbështetje për një ministër të caktuar, por është një mbështetje e cila shkon në mijëra e mijëra familje të thjeshta që shërbejnë në turizëm që prodhojnë për turizmin, që përfitojnë nga turizmi, si nga hotelierët, tur operatorët por edhe ata djem që shpërndajnë shezlone apo ato vajzat që shërbejnë kafe”.