Postuar më: 22/06/2019

Farma Sotira pajiset me çertifikatën e agroturizmit

Farma Sotira, e pozicionuar në Leskovik të Korçës, një nga fermat më të famshme në vend, është padiskutim një shembull suksesi sa i takon investimeve në agroturizëm. Një atraksion i jashtëzakonshëm turistik, në juglindje të vendit, Farma Sotira vizitohet nga mijëra turistë të huaj, duke prodhuar jo vetëm ekonomi për familjen, por edhe turizëm dhe punësime për banorët e zonës. Këtë fundjavë, ministri Klosi i dorëzoi certifikatën e agroturizmit administratorëve të subjektit Farma Sotira, e cila përveç se certifikohet për herë të parë, do të përfitojë edhe një sërë lehtësish fiskale nga paketa e qeverisë, që nxit zhvillimin e bizneseve, që promovojnë turizmin, kulinarinë e zonës dhe mikpritjen. “Nuk ka ngjarje më të rëndësishme për një ministër Turizmi sesa kur shkon në një pikë agroturistike dhe nuk gjen vend për tu ulur”, tha ministri Klosi, pas dorëzimit të certifikatës së agroturizmit. I shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar bashkie në Kolonjë, Erion Isai dhe drejtues lokalë, ministri Klosi vizitoi edhe panairin me produkte dhe gatime tradicionale, i organizuar në një festë të mrekullueshme lokale me këngë dhe valle të zonës. Ndërsa në vijim, ministri vizitoi edhe disa nga dhomat që i shtohen kësaj pike agroturistike, duke ofruar mundësi të reja për të pritur turistët e panumërt që vizitojnë fermën, që përveç se shijojnë gatimet tradicionale, eksplorojnë sportet në natyrë, kanë mundësi të kalojnë mbrëmjen në fshat.

Të rejat e fundit